Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ditën e djeshme u dënua nga Apeli i GJKKO me 3.4 vite burg. Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”. Gjithashtu, gjykata tha se Tahiri ka përfituar favore nga grupi i Habilaj, dhurata, udhëtime me jahte, siç ka këmbëngulur SPAK, e cila kishte kërkuar 12 vite burg për trafik droge dhe grup kriminal, por sipas gjykatës vetëm akuza e shpërdorimit të kanabisit qëndron.
Menjëherë pas vendimit, Tahiri u arrestua dhe u shoqërua në godinën nr.2 të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit ose siç njihet ndrysh burgu 313.
Mësohet se atij i është lejuar të marrë në qeli vetëm rroba dhe cigare, ndërsa ndodhet nën observim.
Tahiri e ka kaluar i vetëm në qeli. Ai ka komunikuar me gardianët teksa i ka përshëndetur. Në dukje shfaqej i shqetësuar dhe i tensionuar. Në qeli nuk ka pasur as televizor.
Kujtojmë se ish-ministri u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i Tahirit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove.
Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.