Ende pa u zyrtarizuar te Barcelona, Aubameyang merr lajmin e hidhur nga Xavi

Barcelona supozohet se mund të vendosë të lërë Pierre-Emerick Aubameyangun jashtë skuadrës së Ligës së Evropës për fazën eliminatore.

Ardhja e 32-vjeçarit si transferim i lirë nga Arsenali pritet të shpallet zyrtarisht së shpejti pasi të jenë përfunduar formalitetet rreth përfundimit të kontratës së tij me “Topçinjtë”.

Aubameyang pason Dani Alvesin, Ferran Torresin dhe Adama Traoren duke u transferuar në “Camp Nou” këtë muaj, por Xavi tani është në telashe kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e skuadrës për garat evropiane, pasi mund të përfshihen vetëm tre nënshkrime reja.

Sipas “AS”, Aubameyang është ai që rrezikon më shumë të mbetet jashtë listës, me Torres dhe Alves që duket se janë zgjedhur për t’u futur në skuadër, duke lënë Traoren dhe ish-lojtarin e Arsenalit të luftojnë për vendin e fundit të mbetur bosh, përcjellë KosovaPress.

Ish-lojtari i Borussia Dortmundit largohet nga Arsenali pasi shënuar 92 gola në 163 paraqitje për klubin, dhe çdo gol që ai shënoi sipas kushteve të marrëveshjes së tij prej 350 mijë funte në javë, supozohet se i kushtoi “Topçinjve” 1.2 milionë funte.

Në Ligën e Evropës Barcelona përballet me Napolin më 17 shkurt.


Shtuar 1.02.2022 16:50