Loja që bën trupi juaj sa herë ndizni një cigare, këto janë organet më të rrezikuara

Tymi i duhanit përmban deri në 4 mijë substanca kimike, ku më të dëmshme për organizmin klasifikohen katrani, monoksidi i karbonit dhe nikotina.

Nikotina si alkaloid natyral, e pranishme 2 deri në 8% te duhani, përveçse përmban doza helmuese, krijon varësi për përdoruesit!

Stimulon çlirimin e dopaminës në Sistemin Nervor Qendror dhe adrenalinës nga gjendra mbiveshkore. Për aq kohë sa konsumon duhan, ky i fundit stimulon mendjen dhe trupin, por menjëherë më pas humori përkeqësohet, duke e nxitur kështu duhanpirësin të ndezë cigaren e radhës për të shijuar sërish emocionet pozitive.

Përveç varësisë farmakologjike nga nikotina, duhanpirësi krijon edhe një varësi psikologjike.

Kur ndalon pirjen e duhanit, manifestohen gjendje si:
• nervozizëm, zemërim, ankth;
• dëshirë e pakuptueshme për të pirë duhan;
• vështirësi në përqëndrim deri edhe pagjumësi.
Disa nga dëmet e duhanpirjes që shfaqen në aparatin e frymëmarrjes janë:
• irritim,
• mukus i shtuar,
• bronkit akut,
• më pas bronkit kronik dhe emfizemë pulmonare.

Nuk përjashtohet edhe mundësia për infeksione në rrugët e frymëmarrjes dhe astmë.

Kujtojmë se pirja e duhanit shton rrezikun për lloje të ndryshme të kancerit ku më të ekspozuara janë rrugët e frymëmarrjes.

Te duhanpirësit rreziku për kancer të mushkërive është 20 herë më i lartë se te personat joduhanpirës. I lartë edhe rreziku për kancer në veshka dhe në fshikëzën e urinës, duke qenë se substancat kancerogjene të duhanit eliminohen nga veshkat dhe dalin nga fshikëza me anë të urinës.


Shtuar 1.02.2022 10:58