Një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se grupi i tij do të hyjë në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen më 6 mars në bashkitë Durrës, Dibër, Shkodër, Rrogozhinë, Lushnjë dhe Vorë, në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Më vonë u mësua se logoja do të jetë “Shtëpia e Lirisë”, dhe sot u zbardh marrëveshja që kanë firmosur të dyja palët.
“Ne po bashkohemi, si parti dhe si qytetarë, për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë. Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë. Të gjithë e dimë që duhet ndryshim. Shqiptarët janë të fortë, Shqipëria është e forte. Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama. Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Dëshirojmë të koordinojme angazhimet dhe kontributin për fitoren e përbashkët politike dhe prandaj vendosëm që: 1. Të formojmë një Koalicion të gjerë opozitar, dhe për të konkurruar së bashku në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnjë, të datës 06 Mars 2022. 2. Emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” 3. Shkronjat nistore te Koalicionit do të jenë: “SH-L“, thuhet në marrëveshje.