Qeveria e Kosovës ndan 75 milion euro për subvencionimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset

Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji. Po ashtu Qeveria ka njoftuar se do ndahen 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë.

Ministria e Ekonomisë njofton se ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Sipas ME-së, kjo ndarje është bërë për t’u përballur me rritjen e tarifave të rrymës.

“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e ME-së.

Tutje theksohet se ky subvencionim do të ndikoj që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0 për qind.

“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0 për qind rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0 për qind rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”.

Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë. ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj”, thuhet në raport.

Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE thotë se e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të paguajnë 9 për qind më shumë.

Rritje e çmimit të rrymës me të njëjtën përqindje është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj. Për këtë propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

LDK-ja e PDK-ja kundër rritjes së çmimit të rrymës

Besian Mustafa i LDK-së ka thënë se mungesa e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe vullnetit për punë e Qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind.

Ai ka thënë se pavarësisht tentimeve për të manipuluar, çmimet e rrymës do të rriten drastikisht.

Mustafa ka thënë se Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit të kaluar për rritjen e çmimeve të energjisë, si dhe hapat që duhet të merren.

Ai ka thënë se mosveprimet e Qeverisë e detyrojnë ZRRE-në t’i rrisë çmimet e energjisë.

“Qeveria zgjodhi populizmin e linçimin në kohë zgjedhjesh lokale për të fituar ndonjë votë. Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar me furnizimin me energji elektrike i ka kushtuar 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro për importin e energjisë, dhe 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, thotë ai, shtrenjtimi i energjisë elektrike e dëmton edhe prodhimin vendor. Sipas tij, prodhuesit do t’u duhet t’i rrisin edhe çmimet për shkak të kostos së lartë të prodhimit.

Pas LDK-së edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësimin me gjendjen e krijuar në Kosovë, pas propozimeve për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Blerand Stavileci, anëtar i kryesisë së PDK-së ka thënë në një konferencë për media të martën se janë bërë realitet paralajmërimet e PDK-së ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuate për zgjidhjen e problemeve me kohë sa i përket energjisë elektrike.

“Paralajmërimet tona të shumta ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuat për zgjidhjen e problemeve me kohë, në mënyrë që edhe të ketë furnizim të sigurt me energji, edhe të mos ketë ngritje të çmimeve sot janë bërë realitet dhe masat e propozuara nuk përkojnë aspak me gjendjen ekonomike të familjeve kosovare”, ka thënë Stavileci.

Ai ka thënë se propozimi për rritjen e tarifave pas një periudhe të rëndë ekonomike si pasojë e pandemisë, është njëra nga goditjet më të ashpra që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.

Në fund të vitit 2021, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike. Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës./monitor


Shtuar 19.01.2022 08:33