Pritshmëritë për ndeshjen e javës së 16-të në Abissnet Superiore mes Kukësit dhe Dinamos ishin të mëdha.
Kjo jo vetëm për përplasjen mes dy skuadrave, por edhe për kuriozitetin e opinionit sportiv për të zbuluar nga afër stadiumin e ri të verilindorëve, Kukës Arena, teksa kjo sfidë ishte menduar të inauguronte impiantin.
Megjithatë, së fundmi ka pasur ndryshim planesh duke qenë grupi i ekspertëve nuk ka dhënë ende miratimin për terrenin e fushës, e në këtë formë do të duhet edhe pak kohë sa të jetë plotësisht gati për të pritur ndeshjet e futbollit.
Në këtë pikë, Kukësi detyrohet të qëndrojë larg shtëpisë edhe për pak ditë teksa nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare bëjnë të ditur tashmë se ndeshja me Dinamon në program për ditën e mërkurë, ora 16:45 do të zhvillohet në Elbasan Arena.