Meta takon Kovaçevskin: Folëm për domosdoshmërinë e çeljes së negociatave me BE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim pasditen e sotme me kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë së Veriut, njëherësh dhe kreun e LSDM-së, Dimitar Kovaçevksi.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se kanë diskutuar për domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian për të dy vendet.

“I përzemërt takimi në Shkup me Kryeministrin e mandatuar për të formuar Qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, njëherazi kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).

Duke i uruar shumë suksese në detyrën tepër rëndësishme, theksova domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian për të dy vendet, i bindur se me përpjekje të përbashkëta do të kalohet çdo pengesë në një kohë të afërt.

Vlerësova angazhimet konkrete të palës maqedonase për të avancuar me projektin shumë të rëndësishëm të Korridorit 8, që do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore”, shkruan Meta./albeu.com


Shtuar 12.01.2022 16:14