Snajper, anti-tank e granata! Arsenali i armëve të sekuestruara në pronën e Sokol Xhurës (VIDEO)

Policia e Tiranës ka shembur sot një pjesë të ish-ndërmarrjes artistike “Migjeni”, në pronësi të shtetasit Sokol Xhura, ku është zbuluar një sasi e madhe armësh. Aksioni i sotëm është në vijim të goditjes së 18 bazave të armatimit në Tiranë, ku u gjetën sasi të konsiderueshme municioni.

Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh, armesh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj. Nga ana e policisë gjyqësore është duke vazhduar dokumentimi me hollësi, i kësaj veprimtarie.

Xhura është shpallur në kërkim për 18 baza armatimesh, ndërsa Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 9 të arrestuarit e arsenalit te armëve dhe municioneve të kapura në kryeqytet.

Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorëve Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra për të arrestuarit e operacionit Kompleks.

Në burg pa afat do të qëndrojë Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi, Arben Sufa, Petrit Shera, Algert Hysa, Festim Mustafa, ndërsa për Klodian Kullën u la në fuqi masa arrest me burg vetëm 45 ditë.

Në kuadër të këtij grupi vijon të jetë në kërkim edhe Akil Kulla, ndërsa të përfshirë për prodhimin dhe tregtimin e armëve janë dhe dy të arrestuarit e tjerë Edmond Jamaku dhe Enver Jamaku.

Për hollësi të mëtejshme, do të vijojë një komunikatë e detajuar nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Njoftimi i policise:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Vijon operacioni policor i koduar “Kompleks”.

Gjatë operacionit të zhvilluar ditën e sotme u zbuluan dhe u goditen edhe 2 baza të tjera që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake nga grupe kriminale që kryenin krime kundër personit.

Strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e sektorit operacional dhe Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Tiranë, nën drejtimin e SPAK-ut, në vijim të operacionit policor të koduar “Kompleks”, kanë lokalizuar dhe goditur dhe 2 baza të tjera që shërbenin po për modifikimin, magazinimin dhe furnizimin me armë të grupeve kriminale në territorin e të gjithë vendit.

Në kuadër të operacionit të zhvilluar këtë mëngjes, gjatë kontrollit të maganizës së shtetasit Sokol Xhura, i cili është shpallur më herët në kërkim, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në një ambient të përshtatur, një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak: 50 automatik, 1 pushkë të precizionit të lartë (Snajper), 1 snajper draganoz, 1 antitank, 19 kundërajrorë, mitroloz (2 të rëndë dhe 1 të lehtë), pajisje ushtrarake, 10 dybli që përdoren për pushkët dhe snajperat, dhjetëra mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, 24 predha antitank, 1 arkë me lëndë eksplozive tritol, 100 granata të ndryshme, 6 kilogramë lëndë ekspoloziv C4, 7 armë zjarri pistoletë të modeleve të ndryshme, 53 pushkë model 10 dhe pjesë për riparimin dhe modifikimin e armëve të zjarrit.

Më herët, më datë 01.04.2021, në kuadër të këtij operacioni u zbardhen tri ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhura më parë, u vunë në pranga 9 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Po në kuadër të operacionit të zhvilluar më datë 01.04.2021, Policia zbuloi 18 baza, gjeti dhe sekuestroi arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.

Policia e Tiranës është e vendosur për të krijuar një ambient sa më të sigurt duke parandaluar dhe goditur ashpër të gjithë personat që tentojnë të ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e krimeve kundër personit, në fushën e narkotikëve apo trafiqeve të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të vijojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me strukturat e Policisë së Shtetit, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me datë 03.03.2021 ka regjistruar procedimin penal nr.52 per veprat penale te “Vrasjes me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim në formën e ”Grupit të strukturuar kriminal”, “Shkaterrimi i prones me eksploziv” si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armeve, armeve shperthyese dhe municionit”, ”Grupit të strukturuar kriminal” vepra penale te parashikuara nga nenet 78/2, 22, 152, 278, 28/4, 333/a dhe 334/1 te Kodit Penal, në ngarkim të personave nën hetim Gj.Cukali, E. Jamaku dhe E. Jamaku.

Pas hetimeve të mëtejshme, janë kryer kontrolle dhe ndaluar dhe arrestuar një numër personash për veprat penale të “Trafikimi i armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në kuadër të ”Grupit të strukturuar kriminal’, ”Prodhimi dhe mbajtjes së armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Kanosja”, etj, të parashikuar nga nenet 278/a, 28/4, 333/a, 334/1, 278 dhe 84 të K.Penal.

Ky hetim ndiqet në dinamikë me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Në datë 09.04.2021, nga ana e prokurorisë së posaçme, është kërkuar Gjykates se Posaçme te Shkalles se Pare për Korrupsionin dhe Krimin te Organizuar, lejimi i kontrollit të ambienteve të të hetuarit në këtë procedim, shtetasit Sokol Xhura, i biri i Ismail-it dhe i Zeliha, i datelindjes 16.03.1978.

Mëngjesin e ditës së sotme, nga ana e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është realizuar kontrolli i këtyre ambienteve, në rrugën Xhanfize Keko, ish-ndërmarrja artistike “Migjeni”, pranë ish-oxhakut të kësaj ndërrrmarrje, në një ambient të izoluar plotësisht me mur.

Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh, armesh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj. Nga ana e policisë gjyqësore është duke vazhduar dokumentimi me hollësi, i kësaj veprimtarie.

Për hollësi të mëtejshme, do të vijojë një komunikatë e detajuar nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.


Shtuar 10.04.2021 14:42