“Zbërthehet” punonjësja e Call Center-it në Tiranë: Ja si mashtronim për të fituar para

Dy ditë pas arrestimit të Izraelitit Rafael Genish dhe bashkëpunëtorëve të  tij të arrestuar  për mashtrimet përmes Call Center-ave, prokuroria ka zbuluar edhe skemën e përfitimit të shumave monetare dhe mënyrën e rekrutimit të punonjësve.

Referuar dëshmisë së një prej punonjësve të “Call Center-it” të FOREX, periudha e trajnimit të personave që realizonin telefonatat zgjaste 2 deri në 3 ditë, ndërsa nuk kishte asnjë kriter në lidhje me eksperiencën e punës.

Në deklarimin e dhënë përballë hetuesve ajo ka treguar se, punonjësit që mashtronin më shumë kishin përfitimet më të mëdha monetare. Në hetimet e kryera u vunë në pranga 35 personave, ndërsa 22 po hetohen në gjendje të lirë. Për të arrestuarit përfshi edhe izraelitin Rafael Genish që cilësohet si organizator, prokuroria do të kërkojë masën e arrestit me burg me akuzën e mashtrimit kompjuterik.

Ka rezultuar se, këta persona kanë kontaktuar më shumë se dy milionë qytetarë europianë, ku mbi 2 mijë prej tyre kanë arritur të mashtrohen, ndërsa vlerat monetare që përfitonin varionin nga 500 euro e sipër. Gjatë operacionit Komunikimi janë sekuestruar edhe  ambientet ku ushtrohej veprimtaria e Call Center si dhe 123 kompjutura. Sipas hetimeve të gjithë personat që janë vënë në pranga kishin dijeni për veprimtarinë që kryenin pasi të gjithë mbanin emra të rremë dhe përdornin numra të huaj për të komunikuar me shtetasit jashtë Shqipërisë./abcnews.al/


Shtuar 26.12.2021 16:53