“Aktor kryesor në aferën e inceneratorit”, Kryemadhi denoncon me video: Pse SPAK vonon denoncimin e Agaçit

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, përmes një postimi në Facebook, ka denoncuar me video Engëll Agaçin për aferën e inceneratori të Elbasanit dhe ngre pikëpyetje se pse SPAK po e vonon arrestimin e tij.

Postimi i Kryemadhit:

PSE SPAK VONON ARRESTIMIN E ËNGJËLL AGAÇIT?

Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit Ëngjëll Agaçi është një nga aktorët kryesor në aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Agaçi, megjithëse haset me refuzimin e Agjencisë së Prokurimit Publik për procedurën për inceneratorin e Elbasanit me vetëdije të plotë shkel ligjin.

Ligji, e përcakton qartë që Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit është përgjegjës për hartimin e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Duke shfrytëzuar këtë kompetencë, Ëngjëll Agaçi pasi është në dijeni nga APP e cila kundërshton procedurën e ndjekur ‘Negocim pa shpallje’ e fut në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave, jo lidhjen e kontratës, por faturën financiare të kontratës.

Pra, miratohet fatura financiare pa u vënë në dijeni të kushteve financiare të saj.

Për këtë shkelje, jo vetëm në inceneratorin e Elbasanit por dhe atë të Tiranës Ëngjëll Agaçi duhet të ishte para drejtësisë.

Pra, miratohet me VKM financimi i një kontrate që buron nga një procedurë e paligjshme e provuar me shkresë dhe paralajmërim zyrtar nga AGJENCIA E PROKURIMIT PUBLIK.

I dorëhequr, i shkarkuar, apo në detyrë? Si do të përballet me drejtësinë, nëpunësi më i lartë ekzekutiv i qeverisë së Edi Ramës?/albeu.com


Shtuar 23.12.2021 10:52