Partia Demokratike prej muajsh tashmë është në një krizë të thellë që ka çuar në përçarjen e plotë të saj. Sot partia më e madhe opozitare në vend është ndarë në, demokratët e Bashës dhe demokratët e Berishës.
Ditën e djeshme Lulzim Basha organizoi Kuvendin Kombëtar në Pallatin e Kongresëve ku sipas organizatorëve u mblodhën 5004 delegatë, kuvend që pasoi atë të Berishës që mblodhi 3934 delegatë demokratë.
Gjithashtu në Referendumin e zhivilluar po dje nga Sali Berisha, mbi 40 mijë anëtarë votuan pro shkarkimit, sipas komisionit nismëtar.
Por si janë zgjedhur kryetarët e PD-së ndër vite?
Sipas tabelës së publikuar nga Instituti i Studimeve Politike, vetëm në tre palë zgjedhje nuk ka pasur rivalë, e si kandidaturë e vetme është zgjedhur Sali Berisha.
Në 11 palë zgjedhje kryetari i PD-së është zgjedhur nga 80-90% të votave. Vetëm në një rast, atë në vitin 1996, ku Tritan Shehu fitoi me 60% të votave përballë Ferdinand Xhaferrajt.
“Kohë kuvendesh, votash, shkarkimesh, debatesh dhe referendumesh në forcën politike, e cila nga mënyra sesi u krijua në dhjetor 1990 do të duhej të ishte institucioni referues për standardet e demokracisë funksionale dhe përfaqësuese në vendin me një trashëgimi të gjatë totalitare dhe kulturë para demokratike!”, shkruan ISP-ja. Më poshtë tabela se si u zgjodhën kryetarët e PD-së ndër vite, ku i pari është Azem Hajdari i zgjedhur me konsensus./albeu.com/