Grupmoshat në prag pensioni aktive në tregun e punës, papunësinë e vuajnë të rinjtë

Grup-moshat më të vjetra të popullsisë janë më pak të ekspozuara ndaj fenomenit të papunësisë, në krahasim me ato më të reja.

Të dhëna të detajuara mbi tregun e punës në tremujorin e fundit të vitit 2020, zbulojnë se shkalla e papunësisë në grupmoshën 55-64 vjeç ishte 7,8 për qind, më e ulëta nga të gjithë grupmoshat. Papunësia në këtë kategori ishte së paku 4 pikë për qind më e ulët se mesatarja kombëtare prej 11.8 për qind.

Papunësia në vendin tonë është tipar i popullsisë së re në moshe, sidomos në 15-24 vjeçarëve. INSTAT vërejti se 28.5 e për qind e forcës së punës tek të rinjtë e kësaj moshë u raportua e papunë në tremujorin e fundit të 2020. Pandemia Covid-19 e përkeqësoi më tej papunësinë në grupet e të rinjve, pasi në fund të vitit të kaluar u rrit me 0,9 pikë përqindje.

Tregues më të moderuar të papunësisë vërehen në grupmoshën 25 deri në 54 vjeç, me 11 për qind, vlerë kjo më e ulët se mesatarja kombëtare. Papunësia për shkak të pandemisë në këtë grup moshë u zgjerua me 0.6 pikë %.

Forca e re e punës në Shqipëri vuan nga dembelizmi i lartë dhe mungesa e aftësive, fenomene këto që sinjalizojnë zhvillime negative në të ardhmen.

Sipas të dhënave të INSTAT mbi 25,5 e të rinjve të grupmoshës 15-24 vjeç në Shqipëri nuk janë të angazhuar as me shkollë dhe as në punë. Ky tregues është në nivelet më të larta Europiane. Për shembull në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2019, vetëm 18% e të rinjve nuk ishin as në punë e as në shkollë. Kategoria e të rinjve “dembelë” ka pësuar rënie të dukshme gjatë dy viteve të shkuara në Maqedoni, pasi në vitin 2017, 25% e të rinjve nuk ishin as në punë dhe as në shkollë.

Në Malin e Zi, përqindja e të rinjve që as nuk punon dhe as nuk është në shkollë është 17%, në Serbi 15%, ndërsa në vendet e BE ky tregues ishte 10% në vitin 2019.

Situata e tregut të punës së të rinjve në Shqipëri karakterizohet nga pasiviteti i lartë, nivele të larta papunësie të vazhdueshme, punësim në sektorin informal dhe emigrim të lartë.

Pjesëmarrja e të rinjve më forcës punëtore në Shqipëri është e ulët në raport me standardet europiane dhe mbeti pothuajse e pandryshuar vitet e fundit. Shkalla e punësimit ishte veçanërisht e ulët për vajzat e reja në krahasim me djemtë

Cilësia e dobët e arsimit, e cila nuk arrin të përmbushë kërkesat e tregjeve të punës, konsiderohet një nga shkaqet kryesore të shkallës së lartë të papunësisë së të rinjve në Shqipëri./Monitor


Shtuar 9.04.2021 08:49

Tags: ,