Skandali me Disiplinën dhe Etikën, FSHF-ja fsheh vendimet

Në pritje të zhvillimit të ndeshjeve këtë fundjavë, të gjitha klubet, stafet e tyre si dhe opinioni sportiv janë në pritje të vendimeve të Komisionit të Disiplinës, për çfarë ka ndodhur një javë më parë në aktivitetet zyrtare. Dënime, pezullime, gjoba apo shumëçka që Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka në juridiksion për të shqyrtuar dhe vendosur.

Mirëpo, dje ka ndodhur skandali i radhës nga FSHF. Gazeta ka komunikuar dje me zyrën e shtypit për të pyetur në lidhje me mbledhjen e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, por nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare. Nisur nga burimet brenda institucionit të futbollit, gazeta ka mësuar se mbledhja është zhvilluar dhe se vendimet kanë qenë të gatshme që pas orës 18:00 të pasdites së djeshme.

Mirëpo, për interesa të FSHF-së dhe duke cenuar mbarëvajtjen e garës në të gjithë kampionatet që zhvillohen në vend, për skandal të këtij institucioni, vendimet nuk janë publikuar. Ngjarjet për vendime disiplinore nuk kanë munguar këtë fundjavë në të gjithë kampionatet, nisur nga ato të moshave, futbolli i femrave me plot ngjarje për t’u trajtuar deri në Kategorinë Superiore.

KOMISIONI PRIVAT I FSHF-SË 

Si të mos mjaftojë vetëm fakti që FSHF i publikon sipas dëshirës dhe sipas klientelizmave të veta vendimet e caktuara nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, prej kohësh komisionet juridike janë shndërruar në pronë private e këtij institucioni. Ndonëse informimi i publikut dhe anëtarëve është detyrim, sanksionuar edhe me statutin e FSHF-së, institucioni i futbollit në vend përdor komisionet si vegla për të ndëshkuar dhe falur sipas dëshirës aktorët e futbollit në vend.

Çdo mbledhje ka një procesverbal të detyrueshëm për t’u mbajtur, me kuorum të caktuar për t’u plotësuar nga anëtarët mirëpo, FSHF nxjerr vetëm listën e vendimeve dhe prej kohësh manipulon çdo mbledhje të ndodhur në komisionet juridike, pa njoftuar kush prej anëtarëve kanë qenë në mbledhje, siç më parë ndodhte të publikohej pikërisht procesverbali me firmat e anëtarëve të komisioneve që merrnin pjesë dhe firmat e secilit.

Mos u habisni, kur FSHF ka interes të ngushtë për publikimin e ndonjë vendimi të caktuar, do të dalë vendimi në pikë të mëngjesit dhe do të ketë madje edhe jehonë. Por, kur ndodh të ketë për të fshehur ngjarje, FSHF do të drejtojë komisionin juridik si ta kishte vegël për të bërë sipas preferencave.


Shtuar 9.04.2021 08:04