Presidenti i La Liga-s del kundër përsëritjes së shortit në Champions: Ishte një turp

Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas ka folur për shortin e Champions League i cili u përsërit dhe sipas tij ishte i “dështuar”.

Pasi u hodh shorti për raundin e 16-të, ai më pas duhej të ribëhej pas një gabimi teknik, duke përjashtuar topin e Manchester United nga një prej vazove.

“Ndoshta Real Madridi ka të drejtë dhe i gjithë shorti nuk duhej të përsëritej”, tha ai në komentet e përcjella nga ‘Cope’.

“Ishte një turp. Nuk e di nëse ishte gabim njerëzor apo teknik, dhe ndoshta Real Madridi ka të drejtë dhe i gjithë shorti nuk duhej të përsëritej. Por ky është një mendim personal. A nuk donin ndeshje më interesante? Epo, kjo është më interesante se sa do të kishte qenë të luash me Benfica”, u shpreh Tebas.

Skuadra e Carlo Ancelottit do të udhëtojë në Paris për ndeshjen e parë më 15 shkurt dhe më pas do të kthehet në Spanjë për ndeshjen e dytë më 9 mars në Santiago Bernabéu.


Shtuar 15.12.2021 09:57