Ish-ministri i Punëve të Jashtme i ish-Jugosllavisë, Vladislav Jovanoviç, është shprehur se Perëndimi do arrijë ta detyrojë Serbinë që ta njohë Kosovën.
Jovanoviç thotë se Perëndimi duhet ta shpejtojë zgjidhjen e pikave nevralgjike në Ballkan. Ai beson se Perendimi ka një mënyrë për ta bërë Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa e përmend Republika Srpskan si faktor të rëndësishëm në këtë çështje.
“Perëndimi është aktualisht më i angazhuar në BeH, duke dashur ta izolojë RS-në, ta detyrojë atë të tërhiqet nga ato që beson se janë kërkesa radikale dhe të ushtrojë presion mbi Serbinë, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e saj, si për shkak të zgjedhjeve, ashtu edhe për shkak të Kosovës”, tha Jovanoviç.
Sipas tij, Perëndimi dëshiron ta detyrojë Serbinë që ta pranojë situatën që e krijuan sa më parë – ta njohë Kosovën dhe kështu të pushojë së ekzistuari si faktor destabilizues në Ballkan.
Ish-diplomati serb përmendi disa arsye sipas tij për prezencën e shtuar ndërkombëtare në rajon, ndërsa shton se Britania, sipas tij, e konsideron veten specialiste për çështjet e Ballkanit dhe tradicionalisht dhe vazhdimisht ka qenë prezente për shekuj me radhë në mënyrë të dukshme dhe të padukshme.
“Ajo përvojë e pasur historike, njohuri dhe aftësi për të përdorur avantazhet dhe kontradiktat tani po përdoren në drejtim të interesave më të gjera të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë”, tha Jovanoviq.
Ai tha se dialogu filloi me një qëllim të vetëm – normalizimin e marrëdhënieve, që do të thotë se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe shtoi se çdo gjë tjetër është e parëndësishme si për Perëndimin ashtu edhe për Kosovën.
“Dhe pritjet tona që asgjë të mos zgjidhet rrënjësisht, por që dialogu do t’i kushtohet përmirësimit të jetës së serbëve dhe zgjidhjes së çështjeve praktike lidhur me kontaktet dhe bashkëpunimin mes nesh dhe Prishtinës, nuk janë me interes për Perëndimin”, tha ai./albeu.com/