Xhandarmëria dhe policia turke kanë kapur 1.5 ton drogë të ardhur nga Shqipëria. Burime zyrtare bëjnë me dije se droga është e llojit kanabis sativa dhe u gjet në një zonë bregdetare, fshehur në një zonë të pyllëzuar.
Nga operacioni, deri më tani janë arrestuar tre persona si dhe u kapën 3 armë zjarri tip pistoletë.
Operacioni
Sipas mediave turke, policia kishte marrë informacion se gjatë këtyre ditëve në zonën e Muglas do të mbërrinte një sasi e madhe droge nga Shqipëria. Menjëherë pas marrjes së informacionit ka nisur kontrolli i territorit duke konstatuar mjetin lundrues që u fut në zonë për të lënë sasinë e madhe të drogës. Pasi konstatuan mjetin, policët shkuan në vendin ku dyshohej se ishte lënë lënda narkotike duke e sekuestruar atë.
Ngecja e kamionit që do transportonte drogën
Policia fillimisht ka shkuar në pyll me helikopter dhe ka konstatuar tre persona që po përpiqëshin të nxirrnin nga rëra e bregut të detit një kamion, i cili kishte ngecur aty. Duke mos mundur që ta nxirrnin kamionin, tre trafikantët që dyshohet se janë shqiptarë e shkarkuan drogën duke e fshehur në një zonë të pyllëzuar aty pranë. Policia e ka gjetur drogën dhe e ka sekuestruar atë./albeu.com.