Basha nga Peqini: Do rikthehem në kullën e Sahatit si kryeministër

Kryedemokrati Lulzim Basha ditën e sotme është ndalur në  Peqin në kuadër të fushatës elektorale. Me në sfond sahatin e qytetit, Basha premtoi se do të rikthehet sërish në Peqin, si kryeministër i Shqipërisë.

“Heshtja që ka pllakosur, zbrazëtia e dyqaneve, shpunësimi, dëshpërimi i fermerëve do të marrin fund. Këtu do të kthehem te kulla e sahatit si kryeministri juaj i ardhshëm për të shijuar së bashku punësimin, mirëqenien, rritjen e të ardhurave dhe ndryshimin që do të përfshijë çdo familje të Peqinit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë!

Nga të rinjtë dhe te rejat tek pensionistët të cilët kanë sakrifikuar një jetë të tërë, nga fermerët tek sipërmarrja tek investimet, tek shkollat dhe në çdo fushë të jetës, familjet me ndihmë ekonomike do ta ndjejnë ndryshimin. Sepse që ndryshimi të ndodh, duhet të zbatohet plani ekonomik i cili mundëson që ato miliarda euro që ua marrin nga xhepat tuaj si taksa çdo ditë, me gjobat, me faturat, me çmimin e energjisë më të lartin në Europë, me çmimin e naftës më të lartin në botë, ato para ua japin oligarkëve. Dhe ndryshimi do të vij sepse qeveria dhe unë, ato para do i kthej tek zotërit e vërtet që jeni ju, me investime, me punësim, me rritje pagash dhe pensionesh dhe kujdes të vërtet shëndetësor.”- tha Basha.

Kryedemokrati premtoi ndër të tjera paga më të mira dhe arsim më cilësor për të gjithë të rinjtë jo vetëm të Peqinit por dhe të Shqipërisë, teksa nuk harrojë edhe rrugën e Shqipërisë drejt Europës.

“E pra, sot kam ardhur t’ju them le të bëhemi edhe njëherë bashkë, dita e ndryshimit po afron. Peqini do ndryshim, Elbasani do ndryshim, Shqipëria do ndryshim. Dhe ndryshimi që po vjen është përfundimi i rrugës që kemi nisur bashkë duke e çuar Shqipërinë drejt Europës, duke sjell standardet europiane në ekonomi që do të thotë vende pune, do të thotë paga dinjitoze, do të thotë subvencione për fermerët dhe do të thotë që asnjë bir dhe asnjë bijë Peqini nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike.

Sepse ne do të mundësojmë që rinia e Peqinit dhe e Elbasanit kualifikohet dhe të punësohet dhe të ndërtojë jetën e vet këtu në Peqinin tuaj të bukur, në Shqipërinë tonë të dashur. E keqja që ka zaptuar ekonominë, që ka zaptuar vatrat tona, i ka orët e numëruara. Tmerri dhe frika që ka kapur nga revolta popullore, nuk fshihet dot as me teatër, as me cirk, as duke përsëritur të njëjtat premtime që ka bërë për 8 vite me radhë. Ke premtuar për 8 vite dhe ke gënjyer për 8 vite dhe vjen prapë të kërkosh edhe katër vite të tjera, shqiptarët e dinë fare mirë se çfarë i bëhet atij njeriu, i mbyllet dera në fytyrë, i thuhet boll më, ik, largohu!”– shtoi Basha.


Shtuar 7.04.2021 11:47