Kolona të gjata makinash në kufirin Kosovë-Shqipëri, kontrollet vazhduan edhe për 28 Nëntor

Kolona të gjata janë krijuar në pikën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë. Nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar thonë se nuk ka pritje në kufi dhe se situata është e qetë, raporton Express.

Shumë qytetarë nga Kosova janë nisur sot drejt Shqipërisë për të festuar 28 Nëntorin, që shënon datën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Nga pamjet shihet se qytetarët po presin gjatë për shkak të fluksit të madh të veturave që po qarkullojnë në hyrje-dalje të Shqipërisë.

Gazeta Express ka kontaktuar Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar për t’i pyetur rreth situatës në kufi, mirëpo të njëjtit kanë thënë se situata është e qetë.

“Nuk ka pritje, situata është e qetë, janë dy-tri vetura që po qarkullojnë momentalisht, nuk ka kolona.”, kanë thënë nga kjo Qendër.

Kujtojmë se ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri Bledi Çuçi ka thënë se, para nisjes së sezonit të verës, qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri do të jetë pa ndalesa.

Ai në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan tha se kjo nuk është pjesë e marrëveshjeve, por për këtë ka dakordim mes dy kryeministrave.

Çuçi ka sqaruar se qarkullimi në kufirin tokësor mes Kosovës dhe Shqipërisë do të monitorohet me kamera.

“Nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesë të kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës [Edi Rama dhe Albin Kurti] në mbledhjen e fundit të dy vendeve tona kemi rënë dakord me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës [Xhelal Sveçla] që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë sa i takon identitetit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare që të ndalojë në kufi. Kjo është përpjekja e të dyve që tashmë e kemi ndërmarrë dhe kemi bërë edhe planin e punës për këtë dhe besojmë që do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës së verës”.

Ai ka njoftuar po ashtu se edhe gjatë kësaj fundjave, për shkak të fluksit të festës së 28 Nëntorit, s’do të ketë kontrolle në kufi.

“Sa i takon flukseve të mëdha dhe jo të zakonshme përpara sezonit, duke përfshirë edhe festën e 28 Nëntorit, ku lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë me fluks të shtuar kemi dhënë porosi në të dy anët e kufirit që të mos ketë kontrollë dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës së gjatë që e krijon festa kombëtare e 28 Nëntorit. Besoj që jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme”, kishte deklaruar ministri./Express/


Shtuar 28.11.2021 21:37