Bardhi “nxjerr zbuluar” Kryemadhin: U thoshte të gjithëve se do të ishte ministre e Brendshme

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila e akuzoi se synonte postin e ministrisë së Brendshme dhe se për këtë gjë u kishte dalë garant bandave.

Komentet Bardhi i bëri në emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, ku e ka mohuar ta ketë pasur atë synim.

Sipas Bardhit, e kundërta është e vërtetë. Ai shtoi se Kryemadhi informonte këdo nga Shkodra në Sarandë që do të ishte ministre e Brendshme pas zgjedhjeve.

Po ashtu Bardhi mohoi të ketë pasur një përballje me kryetaren e LSI-së për çështje bandash, ndërsa tha se në fushatë Monika Kryemadhi i kishte thënë se PD do të merrte vetëm dy mandate në Elbasan, prandaj duhet të punonte më shumë.

“Ishte deklaratë me gënjeshtra. Nuk kam folur kurrë për LSI-në, as anglisht, as shqip. Nuk kam qenë kurrë në zyrën e ambasadores amerikane, për të folur për LSI-në. Nuk kam thënë kurrë që do jem Ministër i Brendshëm, dhe nuk e kam pasur objektiv, të tjerë kanë qenë ata. Sipas LSI-së, ministrja e Brendshme duhet të ishte grua. Zonja kryemadhi ka qenë ajo që ende pa marrë pushtetin, kishte informuar këdo nga Shkodra në Sarandë që zonja Kryemadhi do ishte ministre e Brendshme. Nuk ka pasur asnjë përballje me mua znj. Kryemadhi për cështje bandash, se nuk ngatërrohet Gazment Bardhi me banda. E informova për situatën se ishte drejtuese e qarkut të Elbasanit. Ka qenë vetëm gjysëm dite në qarkun e Elbasanit. Nuk ka qenë në asnjë takim në Elbasan, në katër muaj nuk ka ardhur fare në Elbasan. E kam informuar që LSI-ja e ka shumë të vështirë të marrë mandat. Ajo më tha se i kemi të sigurt 3 mandate, i dilte se PD-ja do merrte dy, dhe se unë duhet të angazhohesha për mandatin e tretë”, tha Gazment Bardhi./albeu.com/


Shtuar 27.11.2021 18:53