Punësimi i mësuesit të dënuar për pedofili në Berat, reagon Kushi: Dënoj fort rastin

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar për skandalin në Berat, ku mësuesi i dënuar me vendim gjykate për pedofili, Engjëll Bregu, është rikthyer të japë mësim.

Kushi në reagimin e saj thotë se e dënon  fort rastin dhe se është larguar menjëherë nga detyra.

Sot lajmi i rikthimit të 62-vjeçari, në detyrë ka bërë bujë media dhe pas publikimit të rastit Drejtoria Arsimore Rajonale Berat e ka shkarkuar nga detyra.

Kushit gjithashtu ka kërkuar nga MAS të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët.

Reagimi i Kushit:

Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona.

Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.

Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë.

Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj./albeu.com


Shtuar 27.11.2021 14:46