Sali Berisha kërcënon Ramën dhe Bashën: Më 11 Dhjetor do marrni përgjigjen më të hidhur në 30 vite (VIDEO)

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, është shprehur se Rama e Basha do të marrin në datën 11 dhjetor përgjigjen më të hidhur që mund të ketë marrë dikush në 30 vite.

Komentet Berisha i bëri nga qyteti i Burrelit, ku po mban “Foltoren” e tij të radhës.

Ai shtoi se firmat e mbledhura i dhanë PD-së një mundësi për të qenë më e bashkuar se kurrë.

Rikujtojmë se “Foltorja” e Berishës nisi me një minutë heshtje, në nderim të 46 viktimave nga aksidenti tragjik në Bullgari.

“Mbështetja juaj do themelojë më 11 dhjetor pluralizmin shqiptar. 11 dhjetori vjen në Shqipëri si data e kurorëzimit të mrekullisë së dytë më të madhe shqiptare që nga viti ’90. Ata që menduan se erdhi fundi i pluralizmit në Shqipëri, ata që menduan se narko-shteti do të jetë e sotmja dhe e ardhmja e shqiptarëve, ata që menduan t’i shkatërrojnë shqiptarëve forcën e idealeve dhe lirisë, gabuan rëndë. Edi Rama merr më 11 dhjetor përgjigjen më të hidhur që mund të ketë marrë dikush në këto 30 vite. Pengu i tij Lulzim Basha, i cili është futur në lojën më të rrezikshme, në atentat ndaj lirisë së shqiptarëve dhe pluralizmit do të arkivohet në arkivat e turpit të historisë së këtij vendi. Mafia e George Sorors që bëri për të shndërruar opozitën në një ministri të narko-shtetit do të dështojë në turp dhe këtë dështim e mirëpret Shqipëria, forcat konservatore në Shqipëri, SHBA e kudo në botë”, tha Berisha./albeu.com/