Të gjitha valutat e huaja kanë shënuar rënie në tregun e brendshëm valutor gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.04 lekë, që është niveli më i ulët i këtij viti.
Përveçse pak ditëve në dhjetor 2020, kur tradicionalisht valutat zhvlerësohen për shkak të prurjeve të emigrantëve dhe turistëve, euro nuk ka qenë në këto nivele që përpara fillimit të pandemisë.
Më rënie ishte dhe dollari, duke zbritur me 0.27 lekë, në 104.2 lekë, nivelet më të ulëta të një jave. Paundi u nënçmua me 0.43 lekë, në 144.9 lekë. Tendencë në rënie kishin dhe të gjitha valutat e tjera.
Aktorët e tregut pohojnë se në momentin që të gjitha valutat kanë trend rënës, shpjegimi lidhet me kërkesë ofertën në tregun e brendshëm. Sipas tyre oferta për valuta është e lartë duke çuar në nënçmimin e monedhës kryesore, euro, që ka tërhequr dhe valutat e tjera.
Rënia e euros ka filluar që javën e kaluar, ndonëse në bursa ajo është rikuperuar, duke u këmbyer me 1.18 USD nga 1.72 në fund të marsit. Aktorët e tregut pohojnë se prej vitesh ata kanë konstatuar një tendencë nënçmuese të valutave e fillimin e fushatave zgjedhore, që lidhet me përdorimin e valutave për fushatë, duke rritur ofertën në treg. Në tregun valutor gjatë ditës së sotme euro nuk këmbehet më shumë se me 122.8 lekë.
Kjo tendencë pritet të vijojë gjatë javëve në vijim.
Në zgjedhjet e vitit 2017, me fillimin zyrtar të fushatës, pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha, euro zbriti nga 135 lekë, në 132 lekë deri në ditën që u shpall fituesi, duke u këmbyer në nivelin më të ulët të atij viti. /Monitor