Braçe pas përplasjes me Salinajin: Nuk e kam takuar kurrë Rezart Taçin (VIDEO)

Deklarata e deputetit Ervin Salianji se Erion Braçe është nё përgjimet e Rezart Taçit, ka nervozuar këtë të fundit ku dhe më pas pati një përplasje fizike.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ndërpreu seancën dhe, disa minuta më vonë,  pas rinisjes, fjalën ia dha Braçes i cili mohoi të jenë përfshirë në përgjime.

Sipas tij, dosja e biznesmenit flet për 18 tetor të 2021, kohë kur Braçe nuk mbante më postin e zv. Kryeministrit.

“Kam më shumë se 1 orë që diskutohet për etikë. Por etika në këtë sallë mori fund ditën kur i gjithë mllefi, urrejtja, u derdh mbi një fletë votimi që ishte emri i një gruaje. Rikthejeni ato pamje dhe do shihni se si mori fund etika që atë ditë. Unë erdha për të folur për buxhetin, kam folur vetëm për buxhetin. Kisha një qëllim për të folur për bujqit, siç e mendoj e ndjej unë. Se sa i shqetësuar jam unë për bujqit, këtë se gjykon asnjeri në këtë sallë. Unë thashë atë që mendoj në lirinë time të plotë. Në këtë sallë, ka shpifës të dënuar nga gjykata. Madje jo shpifës së dënuar, por komplotues në kurriz të nderit, dinjitetit të njerëzve që janë në këtë sallë. E përsëritur, e përsëritur, natyrisht që ka një durim.

Dokumenti i përgjimit të Rezart Taçit mban datën 18 tetor, 2021. Atë dokument e zotëroj të plotë. Në 18 tetor 2021 unë nuk kam qenë zëvendës kryeministër. Që në shtator, roli im ka qenë thjesht i deputetit, që të jemi korrekt e të qartë. E di shumë mirë që në këtë sallë ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza sa te njëri e te tjetri. Do e provoj që paguhen. Kjo histori me lojëra luftërash banale që ndodhin këtu, përfundojnë te dita e pagesës kesh. O kam denoncuar unë privatësimin e Armos, të gjitha ngjarjet që kanë pasuar transaksionet e Armos, midis të cilave dhe ngjarje tragjike, nuk ka fol njeri në këtë sallë. Jo vetëm kam folur dhe kam kallëzuar në Prokurori. Një prokuror që nuk është më, e mori dhe e fshiu dosjen. Aty e keni Armon varr të hapur të një korrupsioni politik, që nisi në atë parti dhe vijon të mbesë varr i hapur në atë parti. Mes meje dhe Taçit na ndan një oqean i madh. Unë me të s’kam folur kurrë. Unë nuk kam shkelur kurrë në televizionin e tij”, tha Braçe.

Përgjimet

Prokuroria italiane ka nisur një hetim për pastrim të 19 milion euro të mafias “Cosa Nostra” në Shqipëri nëpërmjet dy personazheve, të cilët sipas autoriteteve atje, në komunikim me Rezart Taçin dërguan në një llogari bankare në “Alpha Bank” shumë në fjalë. Përfaqësuesit e mafias italiane erdhën disa herë në Shqipëri dhe shkëmbyen mjaft telefonata me njeri-tjetrin duke folur edhe për përfshirjen e disa ministrave, madje edhe të zv.kryeministrit shqiptar për të mundësuar zhbllokimin e këtyre parave nga llogaria bankare.

Prokuroria italiane nuk shprehet me emër se për cilin politikan shqiptar flasin përfaqësuesit e mafias italiane, ndërsa në përgjime nuk ka ndonjë telefonatë mes tyre dhe zyrtarit shqiptar apo mes Rezart Taçit dhe ndonjë politikani shqiptar./albeu.com


Shtuar 16.11.2021 12:01