Nuk pranoi të vaksinohej, ky vendim mund t’i kushtojë shtrenjt yllit të Bayernit

Joshua Kimmich, pak kohë më parë, e bëri të qartë se nuk preferonte të vaksinohej për të parandaluar infektimin me Koronavirus. Ky vendim, përveçse ka shkaktuar një valë kritikash nga shoqëria gjermane, mund të ketë edhe pasoja financiare për mesfushorin e Bayernit.

Qëndrimi në karantinë për dy javë, si rezultat i infektimit me COVID-19 të Niklas Süle, shokut të tij në skuadër si në kombëtare ashtu edhe te Bayerni, gjatë grumbullimit të “Mannschaft”-it në Wolfsburg, mund ta detyrojë klubin bavarez t’i shkurtojë pagën e Kimmich-it.

Kjo për shkak të një rregulloreje të re që ka hyrë në fuqi më 1 nëntor në Gjermani. Sipas kësaj rregulloreje, punëdhënësi nuk është i detyruar t’i paguajë pagën punëtorit, të cilit i është dashur të futet në karantinë dhe nuk është vaksinuar me vendimin e tij personal.

Kimmich ka deklaruar se pret të mësojë se cilat janë efektet anësore të vaksinës, para se ta marrë atë.

Mbetet për t’u parë nëse klubi bavarez, i cili me siguri nuk do të mund ta llogarisë lojtarin për ndeshjen ndaj Augsburgut pas pauzës, do ta zbatojë këtë pikë të rregullores se re. Sidomos duke pasur parasysh se Kimmich nuk është lojtari i vetëm i pavaksinuar në radhët e Bayernit. Përveç tij u izoluan edhe Serge Gnabry dhe Jamal Musiala (pas pozitivitetit të Süles).


Shtuar 11.11.2021 08:25