Alarmi për greva “zbut” qeverinë në Kosovë: Do hartojmë ligjin e pagave

Qeveria e Kosovës është shprehur se ka ngritur një grup pune që do të hartojë projektligjin për pagat.

Sipas ekspertëve, ligji do të dërgohet për konsultime paraprake dhe publike.

Në një përgjigje për Kohën, Qeveria ka deklaruar se po synohet përgatitja e një serie të dëgjimeve publike me qëllim që ky ligj të hartohet në mënyrë të duhur dhe të zgjidhë problemin në term afatgjatë.

Tutje nga ta është thënë se aktualisht pagat në sektorin publik janë të rregulluara me një numër të madh te akteve ligjore dhe nënligjore të ndryshme, dhe kjo ka krijuar për vite një situate konfuze.

“Prandaj ne tani jemi duke u angazhuar maksimalisht për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ligji për paga në sektorin publik është ndër ligjet me komplekse në agjendën tonë legjislative. Ligji i miratuar nga qeveria e kaluar kishte krijuar pabarazi të mëdha, dhe si rrjedhojë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngushtuar terrenin për hartimin e këtij ligji. Këto janë arsye shtesë pse hartimi i këtij ligji kërkon më shumë kohë, në mënyrë që të adresohen gabimet e kaluara që kanë krijuar pabarazi, por edhe që projektligji i ri të jetë në përputhshmëri me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Qeveria për Kohën.

Kujtojmë se ditën e sotme, punonjësit shëndetësorë kanë protestuar para godinës së Qeverisë për Ligjin e Pagave.

Nëse situata do të përshkallëzohej, ata u shprehën se mund të shkonin deri në largimin nga puna.

Edhe sindikata e bashkuar e arsimit ka bërë një paralajmërim të tillë duke u shprehur se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të nisin grevat brenda këtyre institucioneve./albeu.com/

 

 


Shtuar 8.11.2021 18:23