Bare tansferohet te klubi i La Liga që synon Champions?

Keidi Bare mund të mendojë qetësisht për të ardhmen e tij, pasi mesfushori i përfaqësueses shqiptare po bëhet gati të hedhë hapin e rëndësishëm drejt La Liga e ndoshta pranisë në grupet e Ligës së Kampioneve.

Ai nuk pritet ta bëjë këtë me fanellën e klubit të Malagas, ku aktivizohet aktualisht, por me një tjetër skuadër nga elita e futbollit spanjoll dhe me pretendime më të mëdha se sa klubi I tij aktual I zhytur në probleme financiare.

Sipas mediave spanjolle, Getafe ka siguruar që tani një “ok” nga futbollisti dhe parimisht edhe nga Malaga, që duhet të sigurojë disa të ardhura të rëndësishme për të shpëtuar nga falimentimi para afateve që i ka vendosur Liga e Futbollit atje.

Getafe e ndiqte prej kohësh futbollistin shqiptar por në janar nuk arriti të kryente transferimin e tij edhe për faktin se ai ishte I dëmtuar dhe u detyrua të qëndonte për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës. Gjithsesi, klubi i La Liga ka mundur konkurrencën e Majorka, Deportivo Alavesh dhe Rajo Vajekano për mesfushorin shqiptar dhe në muajt e ardhshëm, sapo të mbyllet ky sezon i çuditshëm, do të finalizojë transferimin e tij.

Getafe aktualisht është në vendin e 5-të në kampionatin spanjoll dhe nëse do të rifillojë La Liga, është plotësisht në garë për të siguruar një vend mes katër më të mirëve dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm, pasi gjendet vetëm 1 pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Sevilja e me pikë të barabarta me Real Sociedad që e kalon aktualisht vetëm prej golavarazhit .


Shtuar 17.04.2020 06:52