Detaje nga shpërthimi në Lushnjë, biznesi në pronësi të anëtarit të bandës së Aldo Bares

Detaje të reja bëhen me dije nga shpërthimi me tritol në qytetin e Lushnjes. Mësohet se tritoli është vënë në dyqanin me pronësi të Arjan Aliços, ish-anëtar i Bandës së Aldo Bares, ndaj të cilit ka pasur dhe më herët sulme me armë në drejtim të banesës.

Për pasojë është dëmtuar vetëm dera (qepeni) i këtij ambienti, ndërsa shpërthimi është ndjerë nga shumë banorë të zonës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimim dhe kapjen e autorëve.

Ky nuk është sulmi i parë në drejtim të Aliços, pasi në vitin 2018, ndaj banesës së tij është qëlluar me breshëri armësh. Në momentin kur është qëlluar në banesë me rreth 50 plumba brenda saj kanë qenë bashkëshortja dhe vajza e tij, të cilat edhe pse u terrorizuan, shpëtuan pa dëme.

Edhe tritoli i vendosur sot, duket të jetë një mesazh në drejtim të Aliços, i cili ka precedentë të theksuar penalë në fushën e krimit.

Kush është Arjan Aliço

Arjan Aliço njihet si një nga anëtarët e bandës së Aldo Barës dhe ndodhet në burg. 58-vjeçari është i akuzuar për krimin e ndodhur në vitin 2016 pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër, ku në një pikë loto-baste ka qëlluar mbi 10 herë me thikë Julian Sulën. Arjan Aliço një person me precedent të mëparshëm penal, i dënuar më parë për vrasje dhe si pjesë e një bande kriminale së bashku me djalin e tij Xhino Aliço, 24 vjeç, edhe ky i dënuar më parë për “vrasje të mbetur në tentativë”, kanë qëlluar egërsisht të riun nga Lushnja, në një pikë bastesh.

Julian Sula dhe djali i Arjanit, Xhino Aliço janë përfshirë në një debat për shkak të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës gjatë evropianit të vitit 2016, ku mori pjesë dhe vendi ynë. Sherri mes tyre nisi mbi preferencave që ata kishin për futbollistët e kombëtares dhe rastet e humbura të lojës. Kaq ka mjaftuar që pas debatit për motive të dobëta babë e bir të qëllonin 10 herë me thikë Sinën, i cili i rezistoi plagëve.


Shtuar 5.04.2021 08:27