LSDM nuk do të bëjë thirrje për të votuar e as Teuta Arifin e BDI-së e as Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa, për në rrethin e dytë të zgjedhjeve në Tetovë.
“Kemi dy partnerë, si të ndodh kjo? Cilido që të jetë do të hidhërohet. Të marrim njërën anë, tjetri do të hidhërohet, të marrin anën tjetër, tjetri do të hidhërohet. Kështu që nuk ka dilema, kështu do të jetë edhe në Tetovë dhe në Zhelinë”, tha Zoran Zaev – kryetar i LSDM-së.
Gjatë emisionit “Click Plus” në TV21, Zaev komentoi edhe koalicionin mes Aleanca për Shqiptarët-Alternativa. Thotë se partia e Gashit është serioze, por nënvlerësohen nga Aleanca për Shqiptarët.
“Fillimisht kemi pakënaqësi nga nënvlerësimi i Alternativës në koalicionin Aleanca-Alternativa. Kjo me siguri i ka rrënjët nga zgjedhjet parlamentare, ndërsa u reflektua në ndarjen e përgjegjësive me kandidatët dhe këshilltarët në mes Aleancës dhe Alternativës, prandaj dalin mesazhe të tilla. Ato vijnë nga Alternativa”, shtoi Zaev.
Ndërsa për bashkëpunimin mes VMRO-DPMNE-së dhe ASh-AAA e quajti “martesë të dënuar me divorc”.
“Koalicioni me VMRO-DPMNE-në vlon brenda. E dini pse? Sepse disa prej atyre njerëzve kanë marrë pjesë edhe në 27 prillin. Politika është politikë, por ka diçka që vështirë kalohet. Koalicion me Antonio Milloshovskin, me qëndrimet e tij, të mos i përmendi qëndrimet e tij radikal edhe sot. Pra njerëz me ndikim, deputet, nënkryetar të VMRO-DPMNE-së, sekretarë që kanë qëndrimet e tyre”, theksoi Zaev.
Zaev mes tjerash foli edhe për shumicën parlamentare, duke theksuar se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por është e nevojshme që tani të fokusohen në daljen nga kriza e Covid-19, zhvillim ekonomik dhe në rrugën drejt BE-së.