Janë zbardhur detaje të reja nga ekzekutimi i 38-vjeçarit Alban Semaku në zonën e Peqinit.
Burimet bëjnë me dije se ekzekutimi ka ndodhur në zonën e Peqinit buzë lumit Shkumbin, ditën e dielë dhe i ngjan një ekzekutimi mafioz.
Autorët e kanë qëlluar fillimisht me një plumb mbrapa koke dhe më pas e kanë qëlluar në pjesën e shpinës të paktën me tre plumba, duke e braktisur më pas në vendin e krimit. Ngjarja ndodhi në një zonë të pabanuar, e cila përdoret gjatë fundjavës si vend për tregtimin e bagëtive.
Mbetet mister fakti se si 38-vjeçari është sjellë deri atje nga zona e Lushnjës ku edhe banon. Ish-anëtari i bandës së Lushnjës dyshohet të jetë rrëmbyer mbrëmjen e së shtunës rreth orës 19:00 në qytetin e tij.
Rrëmbimi dyshohet të jetë kryer nga të paktën tre persona. Pavarësisht disa shoqërimeve, Policia lokale nuk ka mundur të zbulojë asnjë të dhënë të rëndësishme që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes.
Organet e hetimit kanë sekuestruar kamerat në një sërë pikash kyçe në zonë në përpjekje për të identifikuar autorët e krimit. Dyshohet që Semaku të jetë marrë me forcë deri në vendin ku u ekzekutua me disa plumba të llojit pistoletë.