Newcastle United mund të kthehet shumë shpejt në një superfuqi botërore dhe europiane, me investimet që do të nisin nga merkato e janarit, pasi Princi i Arabisë Saudite ka vendosur të blejë aksionet dhe të jetë pronari i “qymyrxhinjve”…
Sauditët duan të ngjisin shkallët dhe të bëjnë të harrohen 14 vitet e fundit që kanë qenë vuajtje të mëdha për tifozerinë bardhezi.
Në Premier League shpejt mund të ketë një fuqi ekonomike në gjendje të krijojë një skuadër të denjë për të konkurruar me më të mëdhenjtë e Europës. Opinionistët dhe tifozët kanë nisur që tani fushatën hipotetike të blerjeve dhe diçka të tillë e bën dhe Rio Ferdinand. Ish-mbrojtësi historik i Manchester United dhe i kombëtares angleze në një intervistë bën merkaton e Newcastle teksa shprehet:
“Nëse do të isha në vend të pronarëve të rinj, do të isha i vëmendshëm ndaj lojtarëve si Raheem Sterling. Nuk luan rregullisht, ndaj do t’i drejtohesha atij. Do të konsideroja dhe opsionin Declan Rice. Këta janë dy lojtarët që do të ishin në majë të listës sime. Do të bëja më të mirën për t’i marrë.
Pastaj do të provoja të blija dhe Jesse Lingard, që nuk është një lojtar i rëndësishëm te Manchester United”.
Sa u përket blerjeve të bujshme, ish-mbrojtësi komenton: “Sigurisht, hipoteza Kylian Mbappe është shumë e guximshme, më tepër fantazi, ndaj do të kërkoja djem që nuk janë thelbësorë në klubet e mëdha si Manchester United, Chelsea e City. Përveç kësaj, do të kërkoja talente të reja në të gjithë botën, për t’ia shtuar grupit”.