Bonucci reagon pas ndeshjes me Spanjën dhe largohet nga grumbullimi

Me Giorgio Chiellinin në pankinë, i takonte Leonardo Bonuccit të mbante shiritin e kapitenit të Italisë dhe të udhëhiqte “të kaltrit” në gjysmëfinalen ndaj Spanjës, por mbrojtësi u dorëzua shpejt dhe ndeshja e tij zgjati vetëm 43 minuta.

Një karton i verdhë tërësisht i panevojshëm për protestë të tepruar për një faull në sulm dhe më pas një bërryl i ngritur në mënyrë të pakujdesshme, ndëshkuan kapitenin e “të kaltërve”, por edhe Italinë, që e mbetur me 10 lojtarë, nuk mundi të reagojë e të shmangë humbjen që mungonte prej 37 ndeshjesh.

Mëngjesin e sotëm Bonucci është larguar nga grumbullimi me kombëtaren, pasi kartoni nuk e lejon të luajë në finalen e vogël të dielën dhe është vënë menjëherë në dispozicion të Allegrit, teksa në rrjetet sociale e ka parë të arsyeshme të japë edhe një shpjegim për atë që ndodhi.

“Jam më i mërzitur se të gjithë ju dhe mbi të gjitha me veten time. Më vjen keq dhe kërkoj falje. Kjo Itali do të rikthehet më e fortë se kurrë”, u shpreh mbrojtësi italian.


Shtuar 7.10.2021 16:44