Kreditë si fajdet, u “mblidhen në fyt” shqiptarëve! Interesi i huave në vendin tonë, shumë herë më i lartë se në Europë

Huatë Bankare në Shqipëri janë pak a shumë njësoj si dhënia e parave me Fajde.

Në këtë lloj përfundimi kanë arritur disa ekspertë, pas hulumtimeve të kryera.

Shqipëria është një vend me pagat mesatare rreth 5 herë më të ulëta se vendet e Europës, por për sa i përket normave të interesit në Banka për huadhënie, ato janë 3.8 % më të larta nga vendet e tjera, raportoi Top Channel.

Probleme më të mëdha sjellin institucionet financiare që ofrojnë lehtësira proceduriale në huamarrje, tek të cilat mund të paraqitesh vetëm me kartë identiteti për të marrë hua sasi të vogla parash.

Sipas raporteve të ekpertëve ekonomikë, këto institucione financiare janë kthyer si “firma piramidale” pasi për një sasi të vogël parash, kërkojnë mbrapsht një normë shumë të lartë interesi, që nuk shkon në proporcion as me shumën e marrë edhe as me pagat e shqiptarëve.

Referuar të dhënave zyrtare në shtetin italian, paga mesatare bruto e një shtetasi italian është 2200 euro në muaj. Ndërkohë në Shqipëri është 468 Euro në muaj. Sipas Bankës Botërore për vitin 2020 interesi huadhënieve për shtetin italian është diku tek 2.3%, ndërsa për shtetin shqiptar është 6.1%.

Që do të thotë edhe pse shqiptarët paguhen pesë herë më pak se shtetasit italianë, ata kanë një kosto më të lartë kredie. Problematika thellohet akoma më tepër nëse i referohemi sektorit të mikrofinancave ku interesat e kredisë shkojnë edhe mbi 40%. Ky është një interes i papërballueshëm për shqiptarët, pasi kështu kalojnë në kushtet e mbijetesës”, tha ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Të marrësh një kredi tek sektori i mikrofinanacave, interesi që duhet të paguajë konsumatori është i njëjtë me ato me fajdeve. Kur interesi është tepër i lartë automatikisht krijohet dhe një barrë e madhe borxhi, për pasojë shqiptarët varfërohen.“Shqiptarët janë kredimarrës të këqinj sidomos për kreditë konsumatore, të cilat nuk kanë një kolateral ndaj dhe për këtë arsye interesat e kredive në kreditë konsumatore kanë nivel më të lartë interesi se sa kreditë hipotekore”, shtoi Radonshiqi./albeu.com