José Mourinho nuk ka qenë aspak i lumtur me arbitrimin në derbin lokal ndaj Lazios, duke theksuar se futbolli italian është përmirësuar shumë por gjyqtarët dhe Var nuk janë në nivel.
“Futbolli italian është përmirësuar shumë, është më agresiv. Ka dëshirë për të fituar. Por për fat të keq në një ndeshje fantastike, gjyqtari dhe Var nuk ishin në niveli për të drejtuar derbi të tillë.
“Mungonte penalltia në pjesë të parë, përjashtimi i Leiva dhe shumë faulla të mos-akorduara. Pastaj shumë situata të ngjashme me Pellegrini. Kjo është shumë”, theksoi portugezi.
Tutje portugezi theksoi se ai nuk është i shqetësuar për gabimet në mbrojtje pasi që dy golat e kundërshtarit erdhën nëpërmjet kundërsulmit.
“Nuk jam i shqetësuar për gabimet mbrojtëse. Do të shqetësohesha nëse nuk do të përpiqeshim të fitonim kur jemi në telashe. Golat e dytë dhe të tretë janë në kundërsulm”, përfundoi tekniku portugez.