Lajçak në Kosovë, reagon Kurti: Jemi të barabartë me Serbinë, jo si duan ata

Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është palë e barabartë me Serbinë dhe jo ashtu si po mundohen ta trajtojnë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit të zhvilluar me të dërguarin e posaçëm Miroslav Lajçak, ka deklaruar se në dialogun me Serbinë, Kosova është palë e barabartë dhe jo temë.

“Duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, tha Kurti.

Lajçak, i cili po zhvillon një vizitë tre ditore në Kosovë sqaroi se është biseduar për hapat e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimin rajonal. Çështja e hapjes së arkivave nga ana e Kosovës dhe e Serbisë, e cila ka nxitur debate të shumta në vend, nuk ishte pjesë e diskutimeve, sipas Lajcak.

“Kemi diskutuar është për bashkëpunimin rajonal, por çështja më e rëndësishme është dialogu dhe situata aktuale e dialogut. Unë do të qëndroj këtu tre ditë, do të zhvilloj shumë takime dhe do të bëj vlerësimin në fund. Sapo kam filluar, është herët për të dhënë detaje”.

Në takimin e fundit mes delegacioneve të të dyja vendeve në Bruksel, u diskutua për mundësinë e hapjes së arkivave shtetërore, lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti theksoi më vonë se autoritete e vendit janë të hapura dhe transparente dhe se fati i të pagjeturve duhet të zbardhet. Por deklaratat u dënuan nga partitë opozitare, që i shohin ato si të gabuara dhe të dëmshme./albeu.com


Shtuar 16.09.2021 12:51