Një lokal ku gëlonte protitucioni është zbuluar nga policia në qytetin e Fierit.
Pronari, një 59-vjeçar, i cili akuzohet për shfrytëzim prostitucioni është arrestuar nga policia.
Në kudër të operacionit të koduar “Premtimi” u vu në pranga shtetasi M. Xh., i dënuar më parë për veprën penale “Rrëmbim personi”. Ndërsa dy shtetase janë proceduar penalisht.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga administratori i një lokali, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor, u finalizua operacioni policor i koduar “Premtimi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, shtetasi M. Xh., 59 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për veprën penale “Rrëmbim personi”.
Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”, një shtetase 33 vjeçe dhe një shtetase 55 vjeçe, të cilat janë kapur në flagrancë në lokalin e marrë me qira nga shtetasi M. Xh., në Fier”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. /albeu.com/