Shpresat nuk e përballojnë dot Çekinë, mposhten me “poker” golash (VIDEO)

Pritej të ishte një ndeshje më e luftuar, por nuk rezultoi aspak kështu. Kombëtarja U21 është mundur në Çeki ndaj vendasve me shifrat 4-0 në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit U21.

Vetëm 32 minuta iu deshën çekëve për të shënuar 3 gola dhe dërguar ndeshjen në rrjedhën e duhur për ta. Në minutën e 7 shënoi Ostrak e më pas Fila e Danek në minutat 13 dhe 32 e çuan rezultatin në 3-0.

Shqipëria provoi të rikthehet në lojë, por tre gola janë shumë dhe në asnjë moment djemtë e Alban Bushit nuk u dukën se kanë besim në rikthimin e shifrave.

Më pas për t’ia bërë më të lehtë Çekisë mendoi Mario Mitaj, i cili u ndëshkua me dy të verdhë dhe u largua nga loja në minutën e 71-të. 12 minuta më pas Sulc shënoi edhe të katërtin për vendasit dhe vulosi fitoren me “poker”.

Pas kësaj disfate, Shqipëria qëndron në kuotën e 3 pikëve dhe renditet momentalisht në vendin e dytë. Shpresat grumbullohen sërish në tetor, kur luajnë ndaj Andorrës dhe Sllovenisë.


Shtuar 6.09.2021 19:56

Tags: ,