Gjykata e Tiranës ka nisur gjykimin për Esat Canin, motrën dhe ish-kunatin e tij, të akuzuar për vdekjen e Arben Gjeçit.
Ngjarja në kohën kur ndodhi shokoi gjithë opinionin publik.
Arben Gjeçi u godit me shufër hekuri nga Esat Cani një vit më parë, duke u plagosur për vdekje, ndërsa Elida Cani dhe Dëfrim Kurti, bashkëshortë, me veprimet e tyre penguan zbardhjen e ngjarjes.
Në seancën e djeshme, Gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar për tre të pandehurit, nga e cila në rast fajësie, ata do të përfitojnë ulje të dënimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 janar të 2019-ës, ku sipas Prokurorisë, Esat Cani ka vrarë për çështje nderi Arben Gjeçin, i cili kishte një lidhje jashtëmartesore me motrën e tij, Elida Canin.
Sipas dosjes hetimore, ka qenë një udhëtim me furgon në tetor të 2018-s, që ka bërë që Esat Cani të dyshonte se viktima Arben Gjeçi kishte një lidhje jashtëmartesore me motrën e tij dhe për këtë arsye i ka ruajtur. Ky vëzhgim ka zgjatur deri në datën 24 janar, kur pasi kishte lënë punën dhe marrë shufrën e hekurit me vete, ishte pozicionuar pranë banesës së motrës për të parë nëse Gjeçi do ta takonte atë.