I moshuari kosovar që dha 10 euro nga pensioni për tërmetin në Shqipëri, donte t’i jape diçka Metës por sigurimi e largoi (VIDEO)

Shqipëria në nëntor të vitit të kaluar u godit nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi rreth 50 viktima, qindra të lënduar dhe shumë objekte të shkatërruara.

Shqiptarët anë e mbanë botës arritën të mobilizoheshin si kurrë më parë për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga tragjedia, por historia e një të moshuari nga Medvegja dhe dashuria e tij për Shqipërinë ka prekur të gjithë.

Shaqir Shaqiri, sapo kishte marrë pensionin e tij, por nuk hezitoi që nga ajo shumë e vogël të ndajë pak edhe për vëllezërit shqiptarë, të cilët i kishin dalë në ndihmë gjatë kohës së luftës. Axha Shaqir dhuroi 10 euro për të prekurit nga tërmeti duke thënë se kjo shumë është krejt çka mund të ofrojë.

E gjesti i tij përpos se ka prekur shumë njerëz, ka rënë në sy edhe të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Rama e ka cilësuar axhën Shaqir si heroin e tij, njeriun më të pasur të kombit, gjersa ka premtuar se një ditë do të shkojë dhe ta takojë.

E sot dashuria për Shqipërinë ka bërë që axha Shaqir të paraqitet edhe në një aktivitet tjetër ku ishin prezentë krerët shqiptarë. Krerë të institucioneve politike dhe fetare u mblodhën sot në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë për të falënderuar Shqipërinë për mikpritjen e ofruar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mysafirë nga Shqipëria ishin dy politikanët e njohur, Pandeli Majko dhe presidenti, Ilir Meta. Në pamje shihet se ndërsa presidenti shqiptar po mbante fjalim i moshuari Shaqir Shaqiri u afrua tia jepte një libër, mirëpo sigurimi nuk e lejoi duke e larguar nga aty.


Shtuar 18.01.2020 18:50