Sot në të gjithë lokalet e Prishtinës do dëgjohen këngë të Nexhmije Pagarushës

Ndarja nga jeta e këngëtares së shquar Nexhmie Pagarusha prekur zemrat e mbarë shqiptarëve. Në shenjë nderimi ditën e sotme, në të gjitha lokalet e kryeqytetit, në të njëjtën kohë, do të vendoset muzika e legjendës sonë, e cila ndërroi jetë dje në moshën 86-vjeçare tashmë të ndjerë.

Në shenjë nderimi dhe respekti për këngëtaren, Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës, në koordinim me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Vlora Ismail Dumoshi, janë dakorduar që të vendosin një vepër simbolike për nder të vdekjes së ikonës shqiptare.

Të lidhura

None found

“Artistët jetojnë për të krijuar dhe madhështia e veprave të tyre matet përmes rrezes që përçon arti që ata i dedikojnë jetën. Prandaj amshimi i artistëve nuk është vdekje, meqë krijimtaria ua siguron përjetësinë tokësore që mundësohet nga kultivimi i përhershëm i artit të tyre. Nexhmije Pagarusha është një krijuese e kësaj përmase dhe konsumimi i vazhdueshëm i artit të saj do t’ia sigurojë përjetësinë. Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njëjtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës.

Nexhmije Pagarusha, u nda nga jeta pas një sëmundje. E njohur si “Bilbili i muzikës shqipe”, Nexhmije Pagarusha u largua nga kjo botë me një karrierë të madhe muzikore, e cila ka lënë gjurmë në diskografinë e muzikës së mirëfilltë.


Shtuar 8.02.2020 07:59