Kush janë ministrat që do të merren me KÇK?

Paketa Anti-KÇK u miratua ditën e djeshme nga qeveria dhe ka hyrë menjëherë në fuqi si akt normativ.

Synimi i kësaj pakete është ashpërsimi i luftës kundër krimit të organizuar ku parashikohen ndryshime sa i përket personave të përfshirë në akte kriminale.

Përveç kësaj, synon edhe sekuestrimin e pasurive të paligshme të personave nën hetim ose të dënuar.

Siç raporton “BW”, në paketë thuhet se edhe policia ka të drejtë të marrë masën e sekuestros për një pasuri. Pasuria më pas i kalon shtetit por pas vendimit nga gjykata.

Në krye të paketës ‘Anti-KÇK’ do të jetë Komiteti i Koordinimit që kryesohet nga ministri i Brendshëm. Komiteti ka në përbërje edhe ministrin e Drejtësisë dhe Financave, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e SPAK, kreun e SHISH, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kreun e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Qëllimi i këtij akti normativ është ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe përdorimit prej krimit të organizuar të pronave me origjinë të paligjshme.


Shtuar 1.02.2020 09:41