Vdekja e politikanit të njohur Bashkim Fino ka sjellë një dhimbje të madhe te të gjithë kolegët e tij. Kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Ballës, këtë lajm të hidhur iu desh ta mësonte në studion e emisionit “Koha për t’u zgjuar”.
Teksa gazetari Bashkim Hoxha e ka dhënë lajmin në studio, Balla është përlotur dhe ka qenë e vështirë të japë një mesazh ngushëllimi.
“Jam tërësisht i prekur dhe nuk gjej fjalët ta shpjegoj një koleg, një ish-kryeministër, një kontribues i PS, kaq shumë vite, një ndër njerëzit më të dashur”, tha Balla, ndërkohë që dhe Kuvendi pritet që të mos e mbajë seancën e cila ishte parashikuar për sot.
Bashkim Fino humbi betejën me koronavirusin mëngjesin e sotëm në moshën 58-vjeçare.