Juventus-Lyon fillon në këtë datë, por ku do të luhet?

UEFA thuhet se ka vendosur që Liga e Kampioneve përfundimisht të rikthehet, teksa përballja e dytë mes Juventusit dhe Lyonit të zhvillohet më 8 gusht.

Sipas gazetës franceze RMC Sport, shtëpia më e madhe e futbollit në Evropë, ka mbajtur një video-konferencë me presidentët e klubeve që janë në garë, për t’u konfirmuar dëshirën që gara të vazhdojë.

Në atë takim, është bërë e ditur se ky edicion i garës më të madhe për klube në Evropë duhet të përfundojë.

Sezonet duhet të përfundojnë detyrimisht deri në fund të muajit korrik, në mënyrë që Liga e Kampioneve dhe ajo e Evropës të mbyllen në muajin gusht.

RMC Sport më tej bën të ditur se përballja e dytë e 1/8 së finales mes Juventusit dhe Lyonit do të zhvillohet më 8 gusht, derisa po presin vendimin e autoriteteve italiane se është e sigurt të zhvillohen ndeshjet atje.

Zonja e Vjetër e kishte humbur takimin e parë 1-0 ndaj francezëve me golin e shënuar nga Lucas Tousart në minutën e 31-të.


Shtuar 6.05.2020 15:50