Nuk shkëmbyen asnjë pasim mes tyre, Setien shmang sherrin fizik mes Messit dhe Griezmann

Lionel Mesi dhe Antuan Grizman nuk janë shokët më të mirë të mundshëm të skuadrës në “Camp Nou”.

Që kur sulmuesi francez u transferua te Barcelona, raporti me kapitenin e katalanasve nuk mbërriti kurrë në nivelin e dy shokëve normalë skuadre.

Që nga pozicionet e tyre në fushë, deri te dialogu i munguar sa u përket pasimeve, e konfirmojnë marrëdhënien e vështirë që dy prej lojtarëve kryesorë të kampionëve të Spanjës kanë në mënyrë reciproke.

Në fushë, thuajse injorohen dhe tashmë vjen lajmi se e njëjta gjë ndodh edhe në qendrën stërvitore. Sipas “Diario Gol”, dy sulmuesit e Setienit për pak sa nuk kanë pasur një përplasje fizike gjatë seancës së fundit stërvitore përpara ndeshjes me Atletik Bilbaon. Dhe është dashur ndërhyrja e trajnerit Kike Setien dhe disa pjesëtarëve të tjerë të stafit për të shmangur grushtet.

Kundër Leganesit dy sulmuesit nuk bënë asnjë pasim mes tyre dhe kjo po e pengon francezin që të integrohet në mekanizmat e skuadrës. Nga këtu duket se ka lindur debati i fundit, që është ndezur deri në pikën sa të përdorej dhuna fizike. I njëjti burim thotë që pavarësisht se Barça është ende duke bërë bilancet e humbjeve financiare prej Koronavirusit, nuk përjashtohet një shitje e Grizmanit këtë verë. Dhe megjithëse Mesi është 32 vjeç dhe Grizman 29, për askënd nuk ka dyshime se cili do të sakrifikohet. Ish-ylli i Atletikos së Madridit ka shënuar 14 gola dhe dhënë 4 asiste në 40 ndeshjet e tij me Barcelonën.

“Pleshti” që sot është 32 vjeç, është pranë rinovimit të kontratës edhe për dy sezone të tjera në “Camp Nou”. Kontrata e re do të ketë opsionin e rinovimit edhe për një tjetër sezon, ndërsa rroga do të mbetet e paprekur. Nga ana tjetër, klubi vazhdon të punojë për rikthimin e Nejmarit dhe Grizman është një nga lojtarët që pritet të sakrifikohet në këtë plan. Në rast se ky operacion do të dështojë, atëherë katalanasit kanë edhe një plan B, transferimi i sulmuesit argjentinas Lautaro Martinez nga Interi. Një operacion i tillë ka edhe bekimin e Lionel Mesit/


Shtuar 24.06.2020 16:36