Ekzekutoi 2 biznesmenët, del fotoja e autorit i cili po mjekohej fshehtas (FOTO LAJM)

“Nuk vajta për t’i vrarë. Shkova për t’i shkatërruar hotelin, për shkak të një borxhi që më kishte pronari i tij…”

Djali që shikoni në foto është Eduart Lamaj, autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Laç.

Nga ky atentat humbi jetën Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, ngjarje e ndodhur tre javë më parë.

30-vjeçari u arrestua sot në një klinikë private, ku ishte shtruar, pasi mbeti i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit natën e krimit.

Në pranga ranë edhe dy mjekë të cilët po e mjekonin autorin e dyshuar, të akuzuar se fshehën ngjarjen.

Ndërkohë, para grupit hetimor, Lamaj ka deklaruar se nuk kishte ndërmend të kryente krimin.

“Nuk vajta për t’i vrarë. Shkova për t’i shkatërruar hotelin, për shkak të një borxhi që më kishte pronari i tij. U këndërpërgjigja me armë pasi ata nisën të qëllonin dhe mendova se do më vrisnin” është alibia e ngritur prej të arrestuarit Lamaj,

Megjithatë, për grupin hetimor, alibia e Eduard Lamajt për vrasjen e dyfishtë mbrëmjen e 30 majit në Laç, nuk qëndron. Organi i akuzës ka dyshime të forta se autorët kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal që ka shkuar me qëllim për të kryer vrasje.

Ngjarja ndodhi më 30 maji, ku mbetën të vrarë biznesmenët Bujar Lika Hasani dhe Paulin Gjergji Marku, ky i fundit ndërroi jetë në spitalin e Traumës, si pasojë e plagëve të marra. 4 autorët të veshur si policë u futën në hollin e hotelit dhe ekzekutuan dy biznesmenët.

Policia është në kërkim edhe të 3 personave të tjerë që ndihmuan për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.


Shtuar 23.06.2020 14:56