Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në vendin tonë. Policia e Kukësit njoftoi dje arrestimin e dy vëllezërve, nën akuzën e abuzimit seksual me një 20-vjeçare nga Kosova, me probleme mendore dhe fizike. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, mësohet se në pranga u vunë vëllezërit Xh. H., 31 vjeç dhe M. H., 24 vjeç, banues në fshatin Lojme të Kukësit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës bënë arrestimin e dy shtetasve, Xh. H., 31 vjeç dhe M. H., 24 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Lojme, Kukës. Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase kosovare, 20 vjeçe, duke përfituar nga pazotësia fizike dhe mendore e saj.
Materialet në ngarkim të shtetasve XH. H. dhe M. H. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
