Daja: Skënderbeu mbetet zgjidhja e parë, presim përgjigje pozitive nga Zvicra

Pas fitores me Vllazninë, te Skënderbeu u është ndezur shpresa për një vend në Europa League, duke qenë se edhe kalendarin e kanë në favor, ndërsa nesër do të përballet me Luftëtarin, një skuadër me djem të rinj dhe që i ka mbyllur llogaritë me Kategorinë Superiore.

Trajneri Ilir Daja vlerësoi kundërshatrin dhe bëri thirrje për përqendrim, ndërsa sa i përket të ardhmes, konfirmoi se do të vijojë të qëndrojë në Korçë, nëse Skënderbeu do të amrrë lajme të mira nga Zvicra.

A besoni ende te një vend në Kupat e Europës?

Nuk jemi dorëzuar për Europën, pasi janë edhe tre javë kampionat. Duke i marrë ndeshjet një nga një, mund të jemi në pozicionet që të çojnë në kupat e Europës.

Si e shpjegoni rënien e skuadrës në këtë pjesë të fundit të sezonit?

Fundi i sezonit gjithmonë është problematik, sidomos këtë herë që është një vit i veçantë. Fillimisht ishte tërmeti, pastaj pandemia që na la pa stërvitje. Këto probleme kanë ndikuar psikologjikisht te të gjithë ekipet, jo vetëm te ne.

Ka pasur oferta të shumta ndaj jush. A e keni marrë vendimin se kë do zgjidhni për sezonin e ardhshëm?

Zgjedhja është Skënderbeu, presim një përgjigje nga Gjykata Federale e Zvicrës. Normalisht do ishte një lajm i mirë, pasi Skënderbeu ka qenë lokomotiva e futbollit shqiptar në Europë, duke vendosur standarde sportive dhe financiare. Rikthimi i atij Skënderbeu të madh do të thotë shumë edhe për futbollin shqiptar, jo vetëm për atë korçar.

Si e shihnin përballjen me Luftëtarin, një skuadër që ka rënë tashmë nga kategoria?

E kam ndjekur Luftëtarin në këto tre javë të fundit dhe shoh se po përgatiten për sezonin e ardhshëm. Kanë djem të rinj dhe të talentuar, të cilët duhet të jenë në qendër të vëmendjes nga mbrojtja jonë. U mungon eksperienca, pasi cilësitë i kanë. Duhet t’i vlerësojmë maksimalisht, që të marrim tre pikë të tjera pas fitores me Vllazninë.

Si është gjendja e skuadrës para kësaj ndeshjeje?

Kemi mungesa, Daja është me kartonë të verdhë. Kemi pasur disa lojtarë me probleme. Kemi punuar me modul tjetër, për t’i marrë maksimumin grupit të lojtarëve që kemi në dispozicion.

A mendoni se skuadrat kanë marrë atë që kanë merituar gjatë këtij sezoni?

Ekipet kanë marrë atë që kanë dhënë në fushë. Kur ka edhe Juventusi luhatje, brenda 90 minutave, normal që edhe këtu do të ndodhë kur jemi një nivel krejt tjetër. Verdiktet janë të fushës, me gjithë problematikat e vogla. Ekipet kanë marrë atë që kanë merituar dhe investuar


Shtuar 17.07.2020 21:52