Policia “super aksion”, arreston dy shitësit që tregtonin vaj plazhi dhe çumçakëza

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor “Akciza” duke arrestuar dy persona pasi tregtonin produkte kondrabandë.

Policia arrestoi L. T. dhe A. M., si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. B.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë konsumuar veprat penale “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të konsiderueshme cigaresh të markave të ndryshme, një sasi kafeje dhe një sasi vaji plazhi.

Këto produkte dyshohet se janë futur në Shqipëri nga pika të ndryshme kufitare, duke shmangur tërësisht detyrimin doganor, sqaron policia.

Këta shtetas, nëpërmjet kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore, kanë konkurruar në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Një veprim i tillë, duket sikur policia të ketë arrestuar kriminela e jo shitës të thjeshtë që punojnë për bukën e gojës.


Shtuar 14.07.2020 08:16