Bënin shufra ari me florinjtë e vjedhur, 7 shqiptarë vihen në pranga

Autoritetet italiane kanë arrestuar 15 persona mes tyre 7 shqiptarë, 2 egjiptinë, dhe 6 italianë me akuzën e grabitjes së banesave.

Operacioni për arrestimin e tyre është kryer në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ky operacion është rezultat i një hetimi të nisur që prej 18 majit të vitit 2018.

Dy grupe janë identifikuar në zonën e Teneza di Paderno Dugnano të cilat udhëhiqeshin nga shqiptarët. Ata riciklonin sendet e çmuara të vjedhura në shtëpi të ndryshme duke i shitur në tre biznese të shitjes së bizhuterive, kryesisht ari.

Ari i vjedhur në formën e bizhuterive shkrihej duke krijuar shufrat e arit të cilat më pas ishin të destinuara për tregti financiare.

Për më tepër, u sekuestruan sasi të mëdha ari dhe sende të çmuara, të ardhura nga vjedhjet, makina të shpejta të mbajtura të fshehura në garazhe dhe gati për kryerjen e krimeve grabitqare, si dhe para cash, të destinuara për jashtë vendit, në veçanti në Shqipëri.

Hetimi gjithashtu bëri të mundur identifikimin e bizneseve përmes të cilave kriminelët siguruan pastrimin e të ardhurave të paligjshme dhe korrierët (drejtuesit e autobusëve), të përdorur për transferimin e parave dhe mallrave jashtë vendit.

Gjithashtu u identifikuan, apartamentet dhe garazhet të cilat përdoreshin për fshehjen e makinave me të cilat kryenin krime.


Shtuar 14.07.2020 08:30