Situata e zjarreve, Alizoti akuza Ramës: Bën propagandë të neveritshme, shet dështimin si fitore (VIDEO)

Funksionari i lartë i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, ka akuzuar kryeministrin Rama se bën propagandë me dështimet e veta.

Reagimi i tij erdhi pas deklaratave që bëri sot kryeministri Edi Rama dhe dekoratave që iu shpërndanë të gjithë atyre që iu bashkuan aksioneve për shuarjen e zjarreve në vend.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, deputeti i PD-së e ka cilësuar organizimin e sotëm në Bazën Ajrore Farkë, një propagandë të neveritshme ku dështimi u shit si sukses.

Postimi i Plotë:

Sot, qytetarët dëgjuan edhe njëherë propagandën e neveritshme që prej shumë kohësh përmbys të vërtetën, për t’iu fshehur përgjegjësive dhe për ta shitur dështimin si sukses. Është e qartë për të gjithë, braktisja e forcave të ushtrisë dhe skuadrave të emergjencave civile. Ata u përballën me zjarret me mjete rrethanore ndërsa Rama, shëtiste me helikopterin që duhej të ndihmonte në përballjen me zjarret.

Mirënjohje partnerëve tanë euro-atlantikë dhe Kosovës, pa ndihmën e të cilëve dhe pa vullnetin e personelit të ushtrisë dhe emergjencave, të braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit, kostot e keqmenaxhimit, paaftësisë dhe korrupsionit të këtij regjimi, do të ishin edhe më të frikshme për qytetarët dhe pasurinë tonë natyrore.

E domosdoshme që ligji të veprojë kundër zjarrvënësve, por edhe më rëndësishme që përpara ligjit të japin llogari ata që kanë shpërdoruar me detyrën dhe me korrupsionin e kudondodhur të këtij regjimi, të cilët janë zjarrvënësit e financave publike dhe fatkeqësia e qytetarëve shqiptarë./albeu.com


Shtuar 3.09.2021 15:47