Juventusi shkarkon zyrtarisht Sarrin, zbulohet lista me kandidatët për ta zëvendësuar

Juventusi dështoi për të disatën herë të fitojë në Europë, pavarësisht dominimit që po bën në futbollin italian, teksa mbrëmjen e djeshme u eliminua nga Lyoni në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Presidenti Andrea Agnelli u shfaq mjaft i zhgënjyer në përfundim të ndeshjes së djeshme ndaj francezëve dhe pranoi se po reflekton për të bërë ndryshime të rëndësishme në skuadër, ndërsa duket se dështimin këtë herë e ka paguar trajneri Maurizio Sarri.

Klubi bardhezi ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e Sarrit, kontrata e të cilit me Juventusin skadon më 2022-shin, ndërsa drejtuesit torinezë kanë nisur menjëherë nga puna për të gjetur pasuesin e 61-vjeçarit.

Ëndrra e bardhezinjve quhet Zinedine Zidane, që aktualisht drejton Realin e Madridit, një tjetër skuadër e eliminuar mbrëmjen e djeshme nga Liga e Kampionëve. Francezi njeh mirë ambientin juventin, pasi dikur ka luajtur dhe shkëlqyer me fanellën bardhezi, ndërsa te Reali ka fituar tre herë Ligën e Kampionëve dhe në Torino shpresojnë që mund ta bëjë këtë edhe me klubin italian.

Emrat e tjerë janë ata të italianëve Simone Inzaghi dhe Roberto Mancini, i pari nën kontratë me Lazion dhe tjetri me Federatën Italiane, pasi drejton Kombëtaren “axurre”. Tekniku i bardhekaltërve është ndjekur me vëmendje vitet e fundit nga drejtuesit e Juves, të cilët janë gati të paguajnë për prishjen e kontratës së tij me Lazion, ndërsa më e vështirë duket arritja te Mancini, që ka ndërtuar një skuadër dhe do të luajë shanset e tij me Italinë në Europianin 2020.

Më pak të mundshmit, por që gjithashtu janë në listën e drejtuesve të Juventusit, janë argjentinasi Maurizio Pocchetino dhe dy ish trajnerët e Juventusit, Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte.

Tani futbollistët e Juventusit janë nisur me pushime, ndërsa drejtuesit duhet të nxitojnë për të gjetur sa më shpejt trajnerin e ri dhe bashkë me të të fillojnë planifikimin e merkatos për sezonin e ardhshëm, që pritet të jetë i ngjeshur dhe i komplikuar për shkak të pandemisë.


Shtuar 8.08.2020 14:05